Elbasani
Elbasani është qytet në Shqipëri dhe njëkohësisht qendër e qarkut dhe rrethit me të njëjtin emër. Elbasani është qyteti i tretë më i madh në Shqipëri.
Elbasanit | |
---|---|
Popullsia | 128.232[1] |
{{{postal_code_type}}} | 3000 |
Faqja zyrtare | Bashkia e Elbasanit |
Qyteti i Elbasanit ndodhet në Shqipërinë e Mesme. Ai shtrihet në fushën e Elbasanit, në krahun e djathtë të rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, i rrethuar në lindje nga Krasta e Madhe dhe e Vogël, në veri dhe veriperëndim nga kodrat e Ullishtave, në perëndim nga përroi i Zaranikës, në jug kufizohet nga lumi Shkumbin. Në anën perëndimore të qytetit kalon përroi i Zaranikës dhe nga lindja ai i Manazderies. Elbasani është i vendosur midis gjerësive gjeografike veriore 41° 27', jugore 40° 10', lindore 20° 34' dhe perëndimore 19° 03' dhe ndodhet në një lartësi mesatare prej 125 m mbi nivelin e detit. Veçoritë klimaterike të kësaj zone janë: dimër i butë e me reshje dhe verë e nxehtë e thatë.
Elbasani është një nga qytetet më të mëdha të vendit me një popullsi prej rreth 128.000 banorësh.
Historia
Redakto- Artikulli kryesor: Historia e Elbasanit
Historia e trevat të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin II e.s. me vendbanimet e hershme ilire. Ai që e vërteton plotësisht ekzistencën e qytetit është guri i varrit të legjinarit romak Mark Sabidit, ku shohim të gdhendur emrin Skamp (emri i vjetër i Elbasanit). Guri i varrit daton vitin 160 e.s.[2]Në këtë periudhë Skamp-isi ishte një vicus (lokalitet) në varësinë administrative të Durrahut (Durrësit). Duke qenë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri Jug dhe Lindje Perëndim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qendër urbane, ushtarake e peshkope. Gjatë periudhës romake Skampius njohu lulëzimin e tij më të madh sepse ishte një kryqëzim rrugësh ku Perandoria Romake ndërtoi rrugën Via Egnatia një rrugë me strategji ushtarake dhe ekonomike ku do lidhej Roma me Kostandinopojën, ku në Skampius kryqëzoheshin dy rruge ajo që vinte nga Dyrrahu dhe Apolonia, ku kjo rrugë e rëndësishme strategjike shërbeu edhe gjatë luftërave fetare kryqëzatat. Pas bllokimit të rrugës Via Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti i Skampinit nuk përmendej më dhe u shkatërrua nga bullgarët dhe ostrogotët gjatë migrimit sllavo-bullgar diku nga shekulli VI-VII.
Elbasani u rithemelua nga Sulltan Mehmeti II dhe Ballaban Pasha në shekullin XV. Iu vu ky emër sepse ishte një ndër trevat e para të pushtuara nga osmanllinjtë. Pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, Sulltan Mehmeti II, rindërtoi në kthim në vitin 1466[3] kalanë e vjetër, për ta pasur si pikë mbështetje të mëvonshme. Kalaja u ndërtua në vetëm 25 ditë dhe në ndërtimin e saj ndihmuan 150.000 njerëz.
Në vitin 1492 sulltan Bajaziti ndërtoi xhaminë Mbret, më e vjetra e qytetit dhe ndër më të vjetrat në Shqipëri, e cila ndodhet në zemër të kalas së qytetit.
Në hyrje të kalasë, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht: “Ijl-basan” e rindërtoi sulltani i sulltanëve të (kësaj) kohe, (ai) që përhap mbrojtje”.[4] Emri Elbasan është turqisht dhe ka ardhur si rezultat i ndryshimeve gjatë shekujve në përdorimin e tij. Kuptimi i “Ijl-basan” është vendshytpës[5].
Në dokumentacionin e kohës dëshmohet se në mesin e shekullit XVII Elbasani kishte 2000 shtëpi dhe 900 dyqane. Punoheshin lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi. Pas pushtimit turk Elbasani u shndërrua në qendrën e Islamit në Shqipëri. Për shkak të pozitës shumë të favorshme në rrugën Egnatia, Elbasani u kthye në një qendër tregtie shumë të rëndësishme. Përkrah tregtarëve vendas dhe turq në qytet ishin ngulitur edhe tregtarë grek dhe sllav.
Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitjeje si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Turqia në dy ekspozita ndërkombëtare, njëra në Paris në vitin 1867 dhe tjetra në Çikago në vitin 1894, krahas artikujve të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe pushkë, pistoleta dhe silahe të prodhimit shqiptar të Shkodrës, Elbasanit, Prizrenit, etj. E rëndësishme është se Elbasani shquhet për organizimin e panaireve. Panairi i parë është ai i vitit 1381, i pasuar nga të tjerë në periudha të mëvonshme.
Në këtë kohë Elbasani shquhet si qendër e fuqishme arsimore dhe kulturore me përpjekjet që bënë Bogomili (anonimi i Elbasanit), Dhaskal Todri për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip. Në epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare zë një vend të rëndësishëm Kostandin Kristoforidhi, autor i abetares shqipe, i Dhjatës së Re në gegërisht dhe toskërisht, i Gramatikës së gjuhës shqipe sipas dialektit toskë (1882) dhe i Fjalorit të Gjuhës Shqipe (1904), i cili konsiderohet si babai i gjuhës shqipe. Në etapën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare veçojmë Elbasanin si përhapës të mendimit përparimtar arsimor e kulturor. Pas shpalljes së Hyrijetit, Kushtetutës Xhonturke, u krijuan një sërë shoqërish dhe klubesh nga patriotët elbasanas, të cilët detyrë kryesore kishin përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip.
Më 2-9 shtator 1909 u thirr Kongresi i Elbasanit, ndër vendimet më kryesore të të cilit qe hapja e shkollës Normale, e cila u realizua më 1 dhjetor 1909 dhe krijimi i Shoqërisë Përparimi, e cila do të mbështeste financiarisht këtë shkollë. Kjo shkollë ka qenë e para shkollë e mesme e arsimit kombëtar shqiptar.
Në vitin 1913 themelohet klubi i futbollit Elbasani, i cili është shpallur dy herë kampion i Shqipërisë, dy herë fitues i kupës së Shqipërisë dhe një herë fitues i superkupës.
Qyteti i Elbasanit konsiderohet si një nga vatrat më të rëndësishme të luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Si pika kulmore përmendim aktin e shpalljes së pavarësisë së Elbasanit më 25 Nëntor 1912, si i pari qytet i Shqipërisë, pjesëmarrjen aktive në Luftën e Vlorës në vitin 1920, në Lëvizjen Demokratike Antifeudale të vitit 1921-1924, si dhe në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë periudhës 1924-1939 qyteti i Elbasanit arriti një zhvillim të ndjeshëm në disa drejtime si p.sh. në infrastrukturë kryesisht me ndërtimin e rrugëve që lidhnin Elbasanin me Tiranën, Durrësin, Korçën, Gramshin, Dibrën, etj, ndërtimin e ujësjellësit të qytetit dhe ndërtimin e centralit elektrik. Gjatë kësaj periudhe mori zhvillim edhe ekonomia me ngritjen e disa objekteve si: fabrika e alkoolit, duhan-cigareve, vaj-sapunit duke vazhduar punën artizanale tradicionale. Në këtë kohë kemi ngritjen e degëve të bankave shqiptare dhe të huaja, të cilat nxisnin prodhimin bujqësor e industrial të Elbasanit.
Në vitin 1945 në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Si të gjithë qytetet e tjerë të Shqipërisë edhe Elbasani u hapen shkolla të reja të shkolloheshin fëmijët, edhe disa fabrika qe janë ne prodhim deri sot. U persekutuan personalitetet më të shquara të qytetit të Elbasanit. U vu dorë mbi institucionet e kultit duke i transformuar sipas "ideologjisë së re". Në proceset demokratikë të vitit 1990 edhe qytetarët e Elbasanit morën pjesë aktive në to. Banja e vjetër turke, që ndodhet në qendër të qytetit është restauruar dhe përdoret sot si restorant.
Elbasani ka qenë pushtuar nga grupe të ndryshme, duke përfshirë edhe serbët, maqedonasit, bullgarët, austriakët dhe italianët. Elbasani mbeti një qendër e Islamit në Shqipëri edhe pas pushtimit osman. Pas 1908 Kongresi i Manastirit (në Manastir moderne, Republika e Maqedonisë) vendosi që të përdorin alfabetin latin për gjuhën e shkruar shqipe, klerikët myslimane i ndikuar nga turqit e rinj mbajtën demonstrata të ndryshme në favor të shkrimit arabe në Elbasan (Elifba). Shumica myslimane, gjithashtu ishte kundër instalimi i Prince William më 1914.
Në mes të qytetit ka një Kishë ortodokse, dhe rreth 7 km larg nga Elbasani ka një manastir të vjetër dhe kishën ortodokse, ku kryesisht nga Shën Jovan Vladimir fillim të shekullit të 11-të është varrosur atje.
Te dhëna mbi institucionet kulturore
RedaktoTeatrit “Skampa”
RedaktoTeatrit “Skampa” është i ndërtuar në vitin 1938 nga Xhavit Bej Bicaku dhe ka një kapacitet prej 292 vendesh. Akustikat e këtij teatri është një nga më të mirat në Shqipëri. Aktualisht është në gjendje të mirë, por ka nevojë për përmirësimin e fonie, ndriçimit dhe ngrohje-ventilimit.Por me date 4 Gusht 2011 teatri skampa u perfshi nga flake te medha e u be shkrumb e hi. Ai u rregullua dhe tani eshte ne gjendje te mire edhe pse ka defekte te ndryshme. Llambi Burgjia ishte personazhi më i rëndësishëm i teatrit duke vënë në skenë mbi 300 komedi.
Biblioteka e qytetit
RedaktoBiblioteka e qytetit është ndërtuar në vitin 1934 me kontributet financiare filantropike të një familje elbasanase, familjes Baholli. Kjo bibliotekë ka një fond shumë të pasur në sektorin e Albanologjise. Frekuentohet nga një numër i madh lexuesish dhe studiuesish të sferave të ndryshme të jetës.
Kinema “Vullnetari”
RedaktoKinema “Vullnetari”, e ndërtuar në vitin 1972, me kapacitet 450 vendesh. Nga viti 2000 kjo kinema funksionon si Qendër Rinore “REIMAR”, mbështetur nga CEFA. Ne qendër janë hapur kurse për te rinj ne artizanat, vizatime, pingpong, futboll, lojëra te ndryshme, biblioteke, etj.
Shtëpia e Kulturës
RedaktoShtëpia e Kulturës është godina ku nuk është bërë asnjë investim pasi mendohet që kjo godinë do të prishet për hapjen e rrugës. Lidhur me këtë plani rregullues duhet te shqyrtoje këtë ide dhe ne rast se propozohet prishja e saj duhet te identifikoje një shesh te ri. Brenda këtij institucioni funksiononte një sallë koncertesh me kapacitet rreth 250 personash.
Muzeu “Aleksandër Xhuvani”
RedaktoMuzeu “Aleksandër Xhuvani”, gjendet ne pjesën veriore te kalasë se Elbasanit, ne shtëpinë ku lindi dhe u rrit prof. Aleksander Xhuvani i cili ka një veprimtari te dendur politike, arsimore, kulturore dhe gjuhësore, duke u bere një nga figurat me te rëndësishme te etapës se fundit te epokës se rilindjes kombëtare shqiptare.
Muzeu “K. Kristoforidhi”
RedaktoMuzeu “K. Kristoforidhi” është ngritur ne vitin 1978, ne kuadrin e 100 Vjetorit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit dhe 150 Vjetorit te lindjes se Kostandin Kristiforidhit. Ky muze pasqyron ne mënyre te përmbledhur jetën dhe veprimtarinë patriotike te studiuesit dhe lëvruesit te gjuhës shqipe dhe përfaqësues i epokës se Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Muzeu gjendet ne lagjen Kala ne një shtëpi karakteristike te saj ku lindi dhe u rrit ky personalitet. Pas riparimit, me financime te bashkisë Elbasan ne vitin 2001, muzeu është i vizitueshem.
Pallati i Sportit
RedaktoPallati i Sportit është ndërtuar ne vitin 1982. Ne këtë pallat zhvillojnë takimet e tyre ekipet e lojërave me dore te Sport Klub Elbasanit, ekipit te peshëngritjes, mundjes, etj. Përveç këtyre aktiviteteve ne sallën kryesore te pallatit te Sportit zhvillohen koncerte e manifestime te ndryshme. Kapaciteti i tij është 2.200 vende. Pallati është i paisur me te gjithë infrastrukturën për zhvillimin normal te aktiviteteve sportive. Ne katet e para te tij ndodhen dhomat e zhveshjes dhe dushet, ndërsa ne katet e dyta zyrat për administratën dhe traineret. Ky pallat ka nevojë për riparime në dhomat e zhveshjes së lojtarëve, duhen vënë tabelat elektronike dhe ato të lojës, si dhe impiant elektrik që shërben për ndriçimin sipas parametrave, ngrohje ventilim. Gjithashtu ka nevojë për pajisjen me karrike për spektatorët.
Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”
RedaktoStadiumi “Ruzhdi Bizhuta”. Eshte ndërtuar ne vitin 1967. Ne kete stadium ka zhvilluar ndeshjet ekipi i futbollit te (Labinotit) Elbasanit. Satdiumi ndodhet ne ekstremin lindor te Bulevardit “Qemal Stafa”. Kapaciteti i stadiumit është 12.000 vende. Satdiumi është i paisur me dushe, ambiente për zyra te administratës, salla force, etj. Ambientet e brendshme janë në gjendje shumë të mirë pasi u restauruan në muajin Gusht 2003.Stadiumi tashme i është futur një restaurimi gje qe do ta beje ate stadiumin e pare qe ploteson kushtet e UEFA-s ne Shqipëri.
Stadiumi "Elbasan Arena"
Distanca mes Elbasanit dhe kryeqytetit bëri të mundur që FSHF dhe qeveria shqiptare të kthenin syte pikërisht në këtë qytet për të investuar 5.5 mln EURO në ndërtimin e Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” që sot quhet “Elbasan Arena”.
Punimet filluan me ritme të shpejta. Inxhinierët, teknikët dhe të gjithë punëtorët ishin të vetëdijshëm për kohën e shkurtër që kishin në dispozicion për të përfunduar gjithçka. Fazat e punimeve nuk ishin te lehta, por hap pas hapi gjithçka u konkretizua për në atë që sot është qendra e futbollit shqiptar. Fillimisht nga brenda u montuan stolat kuq e zi, me pas tapeti i blerte, ndërkohë nga jashtë njëkohësisht ishin montuar tabelat elektronike dhe ndriçimi. Tashmë skepticizmi për realizimin e stadiumit në kohë për ndeshjen e parë Shqipëri- Danimarkë, po zbehej dhe gjithçka ndodhej në fazën e fundit.
Në çdo kohë specialistë të FIFA kanë ndjekur punimet për realizimin e një pune me standarde ndërkombëtare.
8 tetori 2014 shënoi edhe testin final që do të ishte edhe inaugurimi i Elbasan Arena. Vetë kryeministri dhe trajneri i kombëtares De Biasi shënuan golat e parë në portën e re të portierit Berisha. Kombëtarja luajti një ndeshje miqësore me ekipin e të rinjve të Elbasanit, ndeshje me rezultatin 7 me 0.
Biblioteka Publike “Qemal Boholli”
RedaktoBiblioteka Publike “Qemal Boholli”. Biblioteka publike është vepër bamirësie e Nazif Bohollit e ndërtuar me 21 korrik 1935 dhe iu dorëzua Bashkisë së Elbasanit si institucion publik. Kjo bibliotekë ka një fond librash prej 200000 mijë vëllimesh, prej të cilëve rreth 160000 janë botime shqip, 20000 në gjuhë të huaj dhe 12000 koleksione periodiku. Që nga viti i ndërtimit ajo është konstruktuar disa herë dhe në vitin 2004 ka pësuar rikonstruksion kapital pa i cënuar vlerat e arkitektuërs. Nisur nga kapaciteti i madh i librave që gjenden në të si dhe nga numri i madh i lexuesve në qytet duhet të shikohet mundësia për ngritjen e një biblioteke të re.
Xhamia Mbret Xhamia Mbret konsiderohet si objekt kulti simbol edhe për myslimanët sot në Elbasan, Shqipëri. Nuk ka të dhëna të sakta lidhur me vitin e ndërtimit të saj. Për kohën, vinte e dyta në radhë pas xhamisë së ndërtuar nga Sulltan Mehmeti i Dytë në vitin 1464, kur u rindërtua Kalaja e Elbasanit. Sipas të dhënave krahasuese, xhamia Mbret është ndërtuar në fund të shekullit XV. Ajo ndodhet në distancë të afërt me Portën e Kalasë. Nga pikëpamja stilistike, xhamia Mbret përfaqëson tipin e faltores me sallë të mbuluar me çati druri dhe me hajat përpara. Nga pikëpamja stilistike dhe e kompozimit, kjo faltore përkon me kohën e Sulltan Bajazitit të Dytë, i cili ndërtoi xhami të tilla edhe në qytetet Berat, Gjirokastër, Shkodër etj. Xhamia Mbret është xhamia që aktualisht frekuentohet më shumë në qytetin e Elbasanit.
Zejet e Elbasanit
RedaktoELBASAN- Në vitet 1466-1570 Elbasani ishte qendra më e madhe ekonomike ushtarake e qytetare e Shqipërisë. Në shekullin XVI numëroheshin rreth 400 zejtarë dhe në shekullin XVII pati një zhvillim më të madh kur Tabakët e Elbasanit ishin të dëgjuar për regjien përpunimin por sidmos ngjyrosjen e lëkurës. Ata eksportonin në të gjithë Rumelinë dhe mbanin monopolin me ferman të sulltanit. Argjendarët shquheshin për punimet artistike, akshinjtë për gjellët me piper, armëtarët për mjeshtëri dhe origjinalitet, projektuesit e veprave publike publike si kanalet, çezmat, objektet e kultit. dyqanet e mjeshtërive radhiteshin në një rrugicë. në shekullin XVII numëorheshin 900 dyqane dhe rreth 30 rrugë emërtoheshin si pas profesioneve. po në këtë periudhe kishte 30 esnafe dhe rreth 90 llojë zejesh. Por tashmë këto zeje pothuajse janë harruar në një kohë kur në të gjithë botën janë bërë një tërheqje e madhe për turistët. Përhapja e zejeve ka bërë që një pjesë e madhe e rrugëve por edhe lagjeve të Elbasanit të marrë emra prej tyre ndërsa tani u ka mbetur vetëm historia.
Tabakët
RedaktoNë fund të shekullit XVII qyteti i Elbasanit kishte 35 punishte ose tabakhane të lëkurës. Numri i madh i toponimeve dëshmon për pozitën primare të këtij esnafi. Kështu në Elbasan njihen disa si Çezma e Tabakëve, Sheshi i Tabakëve, Teqja e Tabakëve, Mulliri i Tabakëve, Xhamia e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Sallatashi i Tabakëve, Rrapi i Tabakëve. në raste luftrash ky esnaf mbante një grup të gatshëm luftëtarësh beqarë të cilët jetonin tek hani i Beqarëve. Tabak vjen nga fjala arabe “debbag” që do të thotë lëkurë. Regjia e lëkurëve bëhej në punishte pranë vendeve me ujë. Me përpunimin e lëkurës nuk merreshin vetëm tabakët por edhe saraçët, opingarët, papuçinjtë e këpucarët. Elbasani shquhej për lëkurat e ngjyrosura, punimin e mëshinit të hollë, saftianit të butë dhe qoseles me shkëlqim. Specialisti i fundit që jetoi deri në fillim shekullin XX dhe që ngjyroste kajzerin (lëkurë e përpunuar e dhive dhe e kecave me ngjyrë të kuqe) ishte Sula i Bajram Tabakut.
Argjendarët
Në fund të shek. XVIII mbi 100 familje elbasanase mbaheshin me mjeshtërinë e argendarëve (kujunxhinjve). Për punimin e metaleve përdorej teknika e rrahjes, ngulitjes, shkrirjes dhe filigramit. Si lëndë e parë përdorej ari, argjendi, (sermi) fakfoni (një lloj peërzierje argjendi, bakri, kallai), gurët e lëmuar, tunxhi etj. Për asortimente të ndryshme çaktohej gramatura e metalit të çmuar. Punimet e argjendarëve kënaqnin jo vetëm kërkesat dhe shijet e vendasve, por edhe të huajve. Për gratë prodhoheshin varse byzylyke, gjilpëra, karfica, vathë, unaza, gjerdanë, capraze, togëza e tjerë. Ndërsa për burrat bënin cingarishte, qostekë sahatesh, zinxhirë dekorative, armë të vogla të lara me ujë floriri, zbukurime armësh me filigram etj[6].
Kazazët
RedaktoKazazët njihet si zeje mjaft e vjetër për përpunimin mëndafshit dhe pambukut dhe ishin të organizuar në esnaf që nga shekulli XV-XVI. Pranë parkut Rinia ka mbetur ende emri Fusha e Kazazëve ku mjeshtërit kallfë, çirakë, kazazë vendosnin veglat portative të punës në verë për të derdhur lëndën e parë që ishte kryesisht mëndafsh. Prodhohej fije ibershimi, pupëza festanuzi, dizje djepi, qostekë sahati. Esnafi kishte rreth 1880 anëtarë kryesorë ndër të cilat Osman Metani, Himë Gurabardhi, Dem Shinkolla, Ali Kumi, Ali Gaçja, Xhaferr Metani. Në fillim shekullin e njëzetë anëtarë të esnafit të Kazëve ishin Musa Selita, Mehmet Selita, Osman Myslymi, Ali Palloshi, Mehmet e Kamber Shupheja, Kup e Haxhi Çengeli, Hasan Kazazi.
Terzinjtë
Mjeshteria e terzive përfshinte punimin e jelekëve, xhamadëneve, mitaneve, xhybeve, dollomanëve, anterive e tjerë. Të gjitha këto të bëra me çopa të kushtueshme, zbukuruar me motive vendase të thurura me gajtanë e tel argjendi ose ari. Lënda e parë përbëhej nga coha e kuq, jeshile, gur kali, bezhë, gri dhe e zezë ose kadife mëndafshi të kuqe të zezë, jeshile, nga bykme ari syrmaqesh, bykme mëndafshi, bykme pambuku, gajtana po me këto ngjyra. Veglat e punës ishin: gërshëra gjilpëra, kuti, hekuri me zjarr etj. Kostumet e burrave e të grave dalloheshin për bukurinë dhe elegancën edhe çmoheshin shumë nga të huajt. Rreth gjysmës së shek XIX për punimin e rrobave kombëtare përmenden mjeshtrat e talentuar Hasan Dilja, Tahir Kryemadhi, Cen Pajova, Shaqir Cecoli, Dyl Peqini, Tahir Qerfozi, Bim Terziu, Dervish Ismaili e Hasan Rroseni.[7]
Armëtarët
Në Elbasan në gjysmën e parë të shek. XVII kishte 13 zejtarë argjendarë 10 farketarë, 7 shigjeta punues, 4 shpata punues. Më 1670 Evlija Çelepija kur vizitoi Elbasanin thotë se: "Ato punojnë me elegancë të madhe armët e zjarrit... Në shek. XIX-XX prodhimi i armëve në Elbasan përfaqësohej nga 30 sokaqe, dhe çdo sokak kishte disa dyqane të ndara sipas zejeve dhe proçeseve të punës. Ata stolisnin pushkët e gjata si: karafilat, kapsulaqet, dollapllijet, kapaklijet, pallaskat e barutit, hanxharët dhe jataganët. Elbasani për organizimin esnaforë të armëtarëve njihet aty nga gjysma e dytë e shek. XVI. Prodhoheshin çarqe pistoletash dhe armësh të gjata shumë të vlersuara, zbukurimi i tyre bëhej në bazë të motiveve shqipëtare. Teknika e prodhimit ka qënë të një teknike shumë të lartë si nga ana funksionale dhe estetike. Prodhomin: hanxharë, jatagan, thika, kama, armë zjarri. Armët e prodhuar në Elbasan njiheshin dhe pëlqeheshin jo vetëm në tregjet e Ballkanit, por ato tregtoheshin deri në Anadoll, Liban, Siri, Persi, Egjipt. Tunizi, Sudan dhe Indi.[8]
Çibukçinjtë
RedaktoKjo lloj zeje në Elbasan fillon në shekullin e XVIII dhe ka pasur esnafin e kohës. Lënda e parë për të bërë çibukët ishte druri i shqopës, i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për tu gdhendur. Veglat e punës ishin tezgjahu (një fije metali e mprehtë) që vihej në lëvizje nga një dërrasë, turjela e tendosur me litarë të hollë që shërben për të hapur birat, morseta, dalta, lima thika me majë të mprehtë. Pasi i jepej forma artistike çibukut ngjyrosej me të zezë ose kafe në të kuqe. Artizanët zbatonin forma të thjeshta arnamentesh për çibukët ndërsa llullat ishin më të lehta. Në grykën ku vendosej zjarri i vihej një shtresë sermi. Kishte edhe çibukë prej briri të cilët realizoheshin me formë metalike. Mjeshtër të kësaj zeje që njiheshin në fund të shekullit tetëmbëdhjetë ishin Memhet Shurdhi (çibukçiu) i biri me më pas djemtë e këtij të fundit, dhe mehmet Musai ndërsa në fillim shekullin XX Ibrahim çibukçiu (Bebeti) dhe djemtë e tij Musai, Bexheti dhe Abedini, të cilët prodhinin çibukë prej briri.
Opingarët dhe Saraçët
RedaktoZejet për opingat kanë qënë të hershme. Opingat punoheshin sipas modeleve dhe kërkesave të qytetit e fshatit. Lënda e parë ishte lëkurë e parapëlqyer, fijet e syzmet. Prodhoheshin opinga qoseleje, opinga me syzme, opinga me rretne. Opingat e qoselesë kishin xhufka me maja. Saraçët prodhonin shala kuajsh, rripa, frerë, kollanë bishta kuajsh, trakaçë, çanta lëkure. Opingarët dhe saraçët kishin dyqanet e tyre në rrugën e ndërmjetëve të shesheve të leshnave, drithërave dhe kasapëve të Bezistenit. Deri në vitin 1912 kishte 40 mjeshtër saraçë si Ali Kaçuli, Ali Kardashi, Mustafa Banja. Në vitin 1932 Elbasani kishte rreth 60 mjeshtër.
Qeleshepunuesit
RedaktoNjë nga zejet e njohura në Elbasan kanë qënë punimi i qelesheve. Ato përgatiteshin nga leshi i deleve dhe ishin dy llojësh: të gjata (tirane) që përdoreshin vetëm për qytetarët dhe në disa fshatra të Peqinit ai dhe qeleshe sheshje të shkurtra që përdoreshin nga fshtarët. Zona e Sulovës dhe e Vërçes përdornin takie ose qeleposhe prej haseje. Më vonë zejtarët prodhonin edhe qeleshe Kosove. Mjeshtri e rrihte leshin me çark, e shtronte në banak dhe me ujë të ngrohtë e sapun e shkumonte mirë, e sheshonte me vegël druri ose tunxhi. Këtë material të qullur në formë stofi e fuste në kallëpe prej balte dhe i jepte formë. E linte pak të thahej në kallëp, e hiqte nga kallëpi, e lante me ujë të ngrohtë e sapun derisa të zbardhej mirë.
Samarxhinjtë
RedaktoSamarxhinjtë njihet si një ndër zejet më të vjetra në Elbasan. Zejtarët elbasanas punonin samar fushe me prapse të lartë e me koxhakikë dhe samar Tirane me prapse të lartë e koxhakikë. Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë samarxhinjtë më të njohur elbasanas ishin Spiro Gygu e Vaslik Kadiu që punonin samarin e llojit të parë ndërsa Myrtaza Zela, Sefer Tirana punonin samar Tirane dhe Mihal Papamihali, Jorgji Pistoli, Mihal Bushaku punonin samar fushe. Në fillim shekullin XX përmënden Jan Çerekja e Mir Gjika. Samarët punoheshin me dru Frashëri, i cili pasi njomej me ujë përkulej me anë të zjarrit për të marrë formëne harkut të shpatullave. Lidhja bëhej me gozhdë e me kunja.
Politika
RedaktoArsimi
RedaktoNë Elbasan funksionojnë shumë institucione të arsimit parashkollor, nëntëvjeçar e të mesëm, si dhe Universiteti "Aleksandër Xhuvani".
Ekonomia
RedaktoElbasani është një qendër e rëndësishme industriale. Elbasani është qendër e prodhimit të hekurit për ndërtim. Në Elbasan ka gjithashtu edhe një fabrikë çimentoje, një fabrikë të prodhimit të ferrokromit, të oksigjenit, një kombinat të përpunimit të drurit, etj.
Zhvillim industrial filloi gjatë regjimit të Zogut me prodhimin e duhanit dhe pijeve alkoolike, dhe arriti kulmin gjatë regjimit komunist. Qytetit i ishte fituar rëndësi pasi kinezet kishin ndërtuar një fabrikë të çelikut në vitin 1974. Ka pasur edhe industri të tjera që vepronin në qytet gjatë regjimit komunist, dhe si rezultat qytetit tani vuan nga ndotja.
Qytetarë të famshëm
Redakto- Onufri (sh. XVI), piktor.
- Hafiz Musa Basha (1892 - 1977), kryetar i bashkisë së Elbasanit (1928 - 1931), kryetar i odës së tregtisë (1931 - 1933), myfti i qytetit te Elbasanit (1934 - 1943), kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1945 - 1954).
- Kostandin Kristoforidhi (1827 - 1895), gjuhëtar, themelues dhe përpilues i fjalorit parë të gjuhës shqipe.
- Nilo Borxhia (1870 - 1942), murg basilian ortodoks, bibliofil, filologu, shkrimtar dhe teolog arbëresh, ishte në misionin Episkopale në Elbasan.
- Shefqet Verlaci (1878 - 1944), politik.
- Aleksander Xhuvani (1880 - 1961), filolog.
- Ethem Haxhiademi (1902 - ?), shkrimtar dhe dramaturg. Në vitin 1945 ai ishte një nga anëtarët e parë të Lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë.
Shiko edhe
RedaktoLidhje të jashtme
Redakto- Faqja zyrtare e Bashkisë së Elbasanit Arkivuar 5 qershor 2016 tek Wayback Machine
- Lajme nga Elbasani Arkivuar 26 prill 2015 tek Wayback Machine
- Albume fotografike
Referime
Redakto- ^ www.elbasani.gov.al
- ^ Belegu Kreshnik, Dakli Ortenca. Skampis ( Elbasani), Romako-Bizantin (në shqip dhe anglisht). fq. 3.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ^ Buharaja, Vexhi (1967). Studime historike (bot. 1st). fq. 85–99.
- ^ Buharaja, Vexhi (1967). Studime historike (bot. 1st). fq. 90.
- ^ Buharaja, Vexhi (1967). Studime historike (bot. 1st). fq. 101.
- ^ Belegu Kreshnik, dakli Ortenca. Muzeu Etnografik (në shqip dhe anglisht). fq. 12.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ^ Belegu Kreshnik, Dakli Ortenca. Muzeu Etnografik (në shqip dhe anglisht). fq. 7.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ^ Belegu Kreshnik, Dakli Ortenca. Muzeu Etnografik (në shqip dhe anglisht). fq. 13.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
https://academic-accelerator.com/encyclopedia/bassania Arkivuar 18 janar 2024 tek Wayback Machine Arkivuar 18 janar 2024 tek Wayback Machine