Jump to content

Zef Mala

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gjendeni tek artikulli Qemal Stafa. Për shprehjet e ngjashme në shkrim, kuptim apo tingëllim, shikoni këtu.
Zef Mala

Zef Mala (Shkodër, 14 prill 1915 - Tiranë, 26 dhjetor 1979) ishte publicist, themelues dhe kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe i Partisë Komuniste Shqiptare. Në vitin 2002 u botua vëllimi "Vox Populi" nga të bijat, një përmbledhje e veprës së tij të shkruar. I cilësuar si njëri prej intelektualëve më ndikues të Shqipërisë së Re, është gjithashtu një ndër komunistët e orëve të para që ka shprehur pendim për kontributin për fitoren e kolerës së zezë që mbolli zi, lotë, gjak dhe helm në zemrën e një populli të shumëvuejtun.[1]

U lind në lagjen Skënderbeg të qytetit të Shkodrës, i biri Gjonit e i Shaqes.[2] Familja e tij merr mbiemrin prej të gjyshit të quajtur Mal Jaku, i fisit Pepaj në PlanPultit.

Ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian në Shkodër, ku më 1933 u përjashtua për frymë afetare.[3] Më 1934 u vendos në Tiranë ku nisi botimin e të përkohshmes “Besa”, ku botoheshin artikuj tematik mbi shoqëritë. Vetë drejtoi rubrikën “Jetë shkrimtarësh të mëdhenj” duke shfaqur mendime letrare për shkrimtarët italo-arbëreshë e bashkëkohorë si Koliqi, Haxhiademi, etj. Në vitet 1935-'37 punon dhe si redaktor në gazetën Arbënia në Tiranë, bashkëpunon me revistat Minerva, ABC…. Ato vite fitoi një bursë shtetërore për studime në Universitetin e Vienës në Fakultetin e Filozofisë e cila do t'i ndërpritej pas dy viteve më 1936. Më 1937 themeloi grupin komunist të Shkodrës me Vasil Shanton, Gjovalin Lukën, Niko Xoxin, Tuk Jakovën, Qemal Stafën, etj. Botoi materiale propagandistike komuniste e analiza sociale për Shqipërinë. Kritikoi sistemin monarkik dhe kërkoi organizimin sindikal kundër regjimit të Zogut. Kërkoi përfaqësimin e krahut të majtë në parlamentin shqiptar. Në dhjetor 1938 botoi organin politik të grupit komunist të Shkodrës “Buletini jeshil” që zgjati dy numra.[4]

Në shkurt të 1939 hapet një gjyq i posaçëm për 73 njerëz të dyshuar për veprimtari komuniste dhe përhapje propagande, bashkë me N. Xoxin ishte i vetmi që mbajti qëndrim konseguent ndaj idealeve të veta.[5] Mes të akuzuarve ishte Tuk Jakova, Vasil Shàntoja, Vojo Kushi, Branko Kadia, Emin Duraku dhe Qemal Stafa.[6][7] U dënua me 10 vjet burgim, burgoset në MbreshtanBeratit. Prej pushtimit italian përfitoi për t'u arratisur më 6 prill 1939 së bashku me Shanton, duke u përpjekur që të kalonin në Jugosllavi si azilant politik, por nuk e pranojnë.

Mala u arrestua ditët e para të regjimit fashist. Në fund të vitit 1939 ai u arratis nga burgu, e për këtë shkak, autoritetet fashiste e dërguan për të vuajtur dënimin në Itali (Ventotene). Në këtë mënyrë, Mala nuk ishte i pranishëm kur u formua PKSH-ja. Në korrik 1943 fashistët e sollën në Shqipëri dhe e dënuan me 14 vjet burg. Me kapitullimin e Italisë, në shtator 1943, Mala doli nga burgu dhe shkoi në çetën e Pezës, ku për shkak të sëmundjes së syve, nuk luftoi por për pak kohë u mor me punë administrative. Verën e 1944 pasi Zefi shprehet se çështja e Kosovës do të zgjidhej me anë të një plebishiti.[4] Enver Hoxha kishte porositur Nako Spiron që Zefin nuk duhej ta nisnin në Kosovë, por duhet ta dekoronin me plumb kresë,[8][9] duke bashkëndarë kështu të njëjtat merita dekoruese me Zai Fundon, Mustafa Gjinishin dhe Anastas Plasarin.

Më 1944 Enver Hoxha urdhëroi pushkatimin e tij, por Mala arrin t'i shpëtojë vdekjes. I cilësuar si antimarksist konfuz nga Enveri.[10] Në dhjetor 1944 u dërgua për mjekim të syrit në Bari të Italisë. Në prill 1945 erdhi në Shqipëri. U emërua shef seksioni në Bibliotekën Kombëtare dhe më vonë drejtor i saj. Më 1946 arrestohet, dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit: “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me partinë komuniste jugosllave”. Kreu 2 vite dënim dhe u lirua me 19 janar 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koçi Xoxes.

Me urdhëresën e Kryeministrit nr. 21 datë 8 qershor 1949, pavarësohet si institucion Arkivi i Shtetit. Ky institucion e kishte vartësinë nga Kryeministria, drejtor u emërua Mala. Në këtë detyrë grumbulloi fonde arkivore të shpërndarë e të shkatërruar në gjithë Shqipërinë, bën kodifikimin sipas sistemit austriak. Bashkëpunoi me specialistët në arkiv; Injac Zamputti-latinisht, Sotir Papahristo-greqisht, Jonuz Tafilaj-osmanisht. Mala merrej vete me dokumentet gjermanisht-anglisht, ai krijoi fondet arkivore të Lumo Skëndos, Mirash Ivanajt, Mehdi Frashërit, Mustafa Krujës, Fishtës, Mëkëmbësit Jacomoni, Lef Nosit dhe të gjithë ministrave që u qenë konfiskuar arkivat. Gjithashtu arkivoi kodikët e regjistrat e kishave të Elbasanit, Tiranës dhe shkresat zyrtare të Bashkisë të shkruara osmanisht etj. Bashkëpunoi ngushtë me Aleks Budën që asokohe ishte shefi i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave. Mala për pasurimin Arkivit te Shtetit, nisi të blejë materiale të ndryshme me vlera të mëdha nga antikuaristët privatë si: Jashar Erebara, Teki Selenica.

Më 1950 përgatiti një dispencë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924”, e konfiskuar dhe e humbur. Po atë vit martohet me Afërdita Shahinin, nga kjo martesë i lindin dy vajza, Maria dhe Esmeralda. E shkolluar për mjekësi në Francë ajo kishte marrë pjesë në luftën NÇL. Petro Marko e kujtonte kështu: “Më kujtohen vitet tridhjetë: kisha vajtur në Korçë për të bërë një anketë për gazetën “Vatra”, ku punoja. Kisha njohur Viti Shahinin (Afërdita), një shoqe shumë e mirë që studionte në Francë, ku pati njohur Halim Xhelon, i cili i jepte materiale për mua. (Ajo më vone u martua me mikun tim të dashur Mala, njeri shumë i kulturuar, themelues i grupit komunist të Shkodrës që më 1937) Njoha dhe vëllane e saj Ilo Shahinin, të cilit i mësova të këndonte “Internacionalen”. Plaku Vangjel, i ati i Vitit dhe i Ilos, pyeti se ç’ishte kjo këngë. Ia shpjeguam dhe ai menjëherë thirri: “Aman, mos e mësoni, se kur të shkoni në Tiranë, në hotel, mund ta këndoni në gjumë e pastaj na merr lumi! Ja ç’frikë na kishte hyrë në palcë”.

Më 1955 arrestohet e dënohet me 5 vjet burg me akuzën “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim”, burgoset në burgun e Burrelit. Më 1958 një delegacion italian dërguar nga L. Longo i kërkon Hoxhës lirimin e Zefit nga burgu, lejimin e tij për të shkuar në Itali. Në vitet 1961-'64, internohet në ZvërnecVlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me: Trebeshinën, S. Gjokën, gazetarin F. Proko, etj. Aty shkroi një traktat filozofik prej rreth 140 faqe të cilin e mori me vete pas dënimit, ky është zhdukur në rrethana të panjohura. Lirohet në vjeshtë (në nëntor?) të 1964.[5] Në vitin 1965 e thërret në takim kryeministri Mehmet Shehu dhe e paralajmëron: “Po të mos na ngacmosh, as ne nuk do të ngacmojmë më”. Ndonëse jashtë burgut në këtë periudhë, Mala ishte në kontroll, lëvizje të kufizuara vetëm brenda Tiranës, me banim te rruga e Saraçëve.

Më 1977 u internua familjarisht[11] për 5 vjet në Labovën e Zhapës, Gjirokastër. Më 15 korrik 1978, nga Labova e Zhapës shkruajti një Promemorie emblematike drejtuar kryeministrit Shehu, pasi ai vite me parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën. Në zgjedhjet e vitit 1978 nuk pranoi të votojë. E arrestuan dhe e dërguan në Tiranë, ku u ridënua me 10 vjet burg. E kaloi dënimin në burgun e Ballshit ku u verbua krejtësisht, ecte me shkop dhe bashkëvuajtësit e ndihmonin për çdo nevojë” - kujton gazetari Foto Proko. Më 26 dhjetor 1979, i sëmurë rëndë, i verbuar, ndërroi jetë në spitalin burg të Tiranës.[4]

Vepra dhe qëndrimi politik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Butka U., Bombë në Ambasadën Sovjetike, Booktique.al, Nov 1, 2014.
  2. ^ Kaloçi D., Akuzat ndaj 73 komunistëve në gjyqin me Qemal Stafën, Shqip. - Nr. 121, 6 maj, 2007, f. 18 - 19.
  3. ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 287. ISBN 9789928261984.
  4. ^ a b c Fierza Gj, Zef Mala, mes lavdisë dhe persekutimit Arkivuar 25 shkurt 2016 tek Wayback Machine, Tirana Observer, 16 prill, 2015.
  5. ^ a b Korça M., Rruga e Saraçve, zemrashqiptare.net, 16 korrik, 2011.
  6. ^ Pano N., The People's Republic of Albania, Johns Hopkins Press, 1968, fq. 39, ISBN 9780801805202.
  7. ^ Bacaj N., Dosja Sekrete Nr.945/III Arkivuar 20 tetor 2016 tek Wayback Machine, Shqipëri Etnike, nr. 112 / 8 dhjetor 2007.
  8. ^ Kaloçi D., Si i eliminoi Enveri të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste, Gazeta shqiptare. - Nr. 2634, 8 nëntor, 2003, f. 12 - 13.
  9. ^ A.Q.SH. fq 14, Dos 76. P 26.08.194.
  10. ^ Enver Hoxha (1985), Për shokët e mi pionierë: pjesë të zgjedhura nga Veprat, "8 nëntori", fq. 160, OCLC 15656129, Unë e një pjesë e mirë e shokëve e njohim dhe e dënojmë Zef Malën, por ka dhe nga ata që akoma kanë iluzione për të. Ka bile ndonjë që e quan konfuzin antimarksist Zef Mala si «teoricien të madh».
  11. ^ Fierza Gj., Promemoria që Zef Mala i dërgoi nga internimi Mehmet Shehut Arkivuar 25 shkurt 2016 tek Wayback Machine, Tirana Observer, 17 prill 2015.