Jump to content

Qazim Mulleti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Qazim Mulleti
Prefekt i Tiranës
Në detyrë
1942–1944
Kryetar i Bashkisë Tiranë
Në detyrë
1939–1940
Paraprirë ngaAbedin Nepravishta
Pasuar ngaAli Erebara
Të dhëna vetjake
U lind më20 dhjetor 1893
Tiranë, Perandoria Osmane
Vdiq më28 gusht 1956
Rocca di Papa, Itali
Nënshtetësiashqiptar
Partia politikeBlloku Kombëtar Indipendent
Bashkëshortja/etHajrije Kusi
FëmijëtReshit Mulleti
Punësiminëpunës

Qazim Mulleti (Tiranë, 20 dhjetor 1893 - Vicolo delle Grotte, Rocca di Papa 28 gusht 1956) ka qenë nëpunës i shtetit shqiptar, i përfshirë në Lëvizjen e qershorit u largua nga Shqipëria si antizogist, qe pjesë e atentatit që emigracioni politik i bëri Mbretit ZogVjenë, u kthye pas pushtimit italian të Shqipërisë dhe shërbeu si kryebashkiak dhe prefekt i Tiranës përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

U lind në lagjen "Sulejman Pasha", sot tek Pazari i Ri,[1] i biri i Reshit bej Mulletit dhe Naile Këlliçit. Mësimet e para i mori në Manastir, vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në liceun “Gallatasaraj” të Stambollit.[2]

Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Ishte poliglot, dinte Turqisht, Arabisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Italisht, Latinisht, Greqisht dhe Serbo-Kroatisht. Dinte të kalëronte dhe të patinonte.

Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, myftiut Mytesim efendi Këlliçit, Abdi bej Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”.

Majin e 1924 qe pjesë e një komisioni të demonstrantëve që takuan kryeministrin Vërlaci, të cilit i kërkonin masa serioze për zbardhjen dhe dënimin e komplotistëve për vrasjen e Avni Rustemit.[3] Në qeverinë e Fan Nolit shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Lëvizjes së qershorit, largohet nga Shqipëria.

Në fillim vendoset në Zara asokohe territor italian, ndërsa më vonë në Vjenë ku qe në grupin e italofilëve të emigracionit antizogist,[3] si indipendent, ndihmohej nga Italia dhe ishte në kontakt me autoritetet jugosllave.[4] Mori pjesë në organizimin e atentatit ndaj Mbretit Zog I më 1931 në kryeqytetin austriak, duke u qëndruar mbrapa Ndokë Gjeloshit e Aziz Çamit për t'i mbrojtur eventualisht. Pasi shkrehën plumbat duke ngatërruar majorin Llesh Topallaj me mbretin dhe duke plagosur Eqrem Libohovën, Mulleti flaku armën dhe u fsheh në turmën e porsakrijuar.[5] Më pas organet vjeneze të rendit e gjetën pranë atentatit dhe e arrestuan,[3] u lirua në korrik,[4] më pas iu lirua i vëllai Hakiu dhe u mbajtën dy procese gjyqësore për përfshirjen e Qazimit në organizimit të atentatit. Në gjyqin e parë në qytetin Ried të Austrisë, ku u dënuan Gjeloshi dhe Çami, emri i Mulletit vetëm sa u përmet gjatë gjyqit; në gjyqin e Tiranës pak kohë më pas, Mulleti u dënua me vdekje në mungesë.[5]

Më pas u largua drejt Parisit.[4]

Në qershor të 1939 u kthye në Shqipërinë e pushtuar nga italianët,[6] dhe më pas u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës deri më 1940. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. U çelën çezma, u ndërtuan banjo publike dhe u larguan varrezat nga qendra e qytetit, gjë që e nisi nga varrezat e familjes së vet.[1]

Më 20 korrik 1942, me detyrën e prefektit, mblodhi parinë e Tiranës për t'u bërë të tretënh erë apelin për të bashkëpunuar me ushtrinë italiane dhe të ndërprenin rezistencën pasive në vend. Më 28 gusht 1942 iu bë një atentat i pasuksesshëm,[7] nga një i ri i njësitit guerril me mbiemrin Pekmezi, i cili me bombën që hodhi në drejtim të prefektit vrau dy shoqëruesit italianë. Si pasojë një patrullë italiane e vrau të riun.[8]

Më 1944, me përparimin e komunistëve u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali, ku do të organizohej me Bllokun Kombëtar Indipendent, pjesë e kryesisë së tij.[9]

Zbulimi i eshtrave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Që më 2004 poeti Gëzim Hajdari zbuloi vendprehjen e eshtrave të tij, në varrezat "San Sebastiano Martire" të lokalitetit Rocca della Papa në qytezën Vicolo delle Grotte.[10][11]

Kur qëndronte në Vienë gjatë emigracionit antizogist, u martua më 1929 me Hajrije Kusin, duke u trashëguar me një djalë, Reshitin. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve dhe largimit të Qazimit drejt Italisë, e shoqja me të birin kaluan jetën ndër internime nëpër kampet e Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Hajrija ndërroi jetë në dhjetor të 1980 në kampin e Savrës, Lushnje.[12] I vëllai, Hakiu, megjithëse nuk qe përfshirë në politikë u arrestua dhe familja e tij u nxorr në rrugë.[1]

Enver Hoxha dhe historiografia komuniste do ta portretizonin si tradhëtar, agjent, kriminel dhe prefekti gjakatar.[13][14]

Në periudhën komuniste do të portretizohej ndër komedi, me skenar nga Besim Levonja, personazhi i tij u luajt nga Mihal Popi dhe më pas Robert Ndrenika. Versioni më popullor është komedia "Prefekti" me regji nga Pirro Mani më 1974 dhe përshtatur për film nga Vera Grabocka më 1976; këtu personazhin e interpretoi Ndrenika, duke u shndërruar me kohën ndër simbolet e komedisë shqiptare.[15] Simbolet tek të cilat mbështetet në steriotipe dhe prodhon vetëm të tillë: prefekti dhe vartësi i tij, shefi i policisë Mon Kukaleshi, si përfaqësues të vendalive tiranas përfaqësohen si të korruptuar, të trashë, fetarë dhe e folura e tyre është mëshuar qëllimisht për stigmatizimin e grupeve shoqërore nga e vinin këta personazhe.[16]

  1. ^ a b c Saraçi (Mulleti), Fatbardha (29 prill 2012). Intervistuar nga Ani Jaupajn. "Persekutimi i Mulletëve dhe fati i hidhur i Hajries, gruas së Prefektit". Panorama (3429).{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Mulleti, Tanush (4 shtator 2012). Intervistuar nga Fatos Veliu. "Xhaxhai im, Qazim Mulleti, e filloi punën si adjutant i Vidit". Gazeta Shqiptare (5751).{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b c Këlcyra, Ali (2012). Shkrime në historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. fq. 469, 137, 417. ISBN 9789995687816.
  4. ^ a b c Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri. Tiranë: Vllamasi. fq. 428, 434, 444–445. ISBN 9789928140548.
  5. ^ a b Dervishi, Kastriot (2008). Plumba politikës: Historitë e përgjakjes së politikanëve shqiptarë. Tiranë: 55. fq. 225–226. ISBN 9789994356430.
  6. ^ Mulleti, Tanush (28 dhjetor 2012). "Në '39 Qazimi u kthye nga emigrimi 15 vjeçar, shokohet Jakomoni". Intervistuar nga F. Veliun. Gazeta shqiptare. - p. 5759.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  7. ^ Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946. Durrës-Tiranë: Jozef. fq. 364–365. ISBN 9789928241849.
  8. ^ Pearson, Owen (2006), Albania in the Twentieth Century, A History, vëll. II: Albania in Occupation and War, 1939–45 (bot. Annotated), I. B. Tauris, fq. 198, ISBN 978-1845111045
  9. ^ Fournial, G. (1950). Le procès des espions parachutés en Albanie: compte rendu sténographique des débats du procès de Tirana (24 mai - 6 juin 1950) (në frëngjisht). Éditions sociales. fq. 60, 71, 192.
  10. ^ Andoni, Ben (21 maj 2012). "Qazim Mulleti - Antizogisti që u shërbeu fashistëve". revistajava.al. Arkivuar nga origjinali më 1 janar 2014. Marrë më 6 dhjetor 2021.
  11. ^ Polovina, Ylli (3 tetor 2011). "Gjenden në Romë eshtrat e Qazim Mulletit". Panorama.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ Mulleti, Tanush (7 shtator 2012). Intervistuar nga Fatos Veliu. "Qazimi ishte pjesëmarrës në atentatin kundër Zogut në Vjenë". Gazeta Shqiptare (5754). Arkivuar nga origjinali më 1 janar 2014. Marrë më 14 korrik 2018.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  13. ^ Enver Hoxha (1968), Vepra, vëll. I, Shtëpia Botonjëse "Naim Frashëri", fq. 82–83, 144, OCLC 5698042
  14. ^ Various (Institute of Marxist-Leninist Studies) (1989). Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar : prill 1939 - nëntor 1944 (në frëngjisht). Vëll. IV. Tirana: Shtëpia Botuese 8 Nëntori. fq. 505. OCLC 767791989.
  15. ^ Papagjoni, Josif (2005). Teatri kombëtar: udhë, prirje, shfaqje, profile. Centre for Arts Study (Science Academy of Republic of Albania). fq. 44–46. ISBN 9789994376360. OCLC 654150591.
  16. ^ EC (23 dhjetor 2010). "Qazim Mulleti dhe stereotipet". peizazhe.com. Peizazhet e fjalës.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)