Jump to content

Abaz Kupi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Versioni i datës 26 qershor 2024 14:38 nga InternetArchiveBot (diskuto | kontribute) (Lidhje të jashtme të shpëtuara: 1 Lidhje të jashtme të etiketuara si të vdekura: 0) #IABot (v2.0.9.5)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)
Abaz Kupi
Kapiten i xhandarmërisë në Krujë
19241932
Major i xhandarmërisë në Durrës
19321939
Kryetar i Legalitetit 19431976
U lind në6 Gusht 1892
Vdiq17 Janar 1976
KombësiaShqiptar
ProfesioniUshtarak, Politikan

Abaz Kupi i njohur dhe si Bazi i Canës sipas të folmes krutane (Krujë, 6 gusht 1892Nju Jork, 17 janar 1976) ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.[1] Me zbarkimin e italianëve në Durrës me 7 prill 1939 mbajti qëndresë për 36 orë.[2]

Leu në lagjen Varosh të Krujës6 gusht 1892 në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini.[3] Bashkëpunon me Esat pashë Toptanin në nëntor-dhjetor të 1914, kur bashkë me parinë e Krujës vendosin t'i bien Lëvizjes së Shqipërisë së mesme.[4] Me formimin e qeverisë kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë në Luftën e Koplikut. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, B. Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922.[1][4] Gjatë 1924 qendroi neutral, kapiteni Prenk Pervizi e afroi me Zogun,[5] i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit,[1] që zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934.

Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, A. Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak te Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi në një ikonë.[6] Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll, Turqi. Në qershor të vitit 1939 familja e tij - përbërë nga tre djemtë Petriti, Rrustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat -, u internua në Himarë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Bazi kaloi nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon kolonelin Stirling dhe kol. Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri për të kryesuar rezistencën me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd.[7] Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët. Formohet Fronti i Bashkuar i Rezistencës së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin dhe Muharrem Bajraktarin[8] Kthehet në Shqipër me ndihmën e Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin,[9] gjë që e bëri me shpenzimet e tij.[2]

Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat[10] bashkë me emrin e bujshëm "Fronti Nacional-Çlirimtar".[11]

Më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Ihsan ToptanitTapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës "Balli Kombëtar".[12] Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që Marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve edhe koloneli A.P. Skampa.[13]

Kur u hodh poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviq dhe Mugosha, Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.[14] Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që synonte rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë.[15]

Në pranverën e 1944, përveç oficerëve Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s'u kuptua veprimtaria e Bazit.[10]

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nepërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.[2] Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

Pas Luftës së Dytë Botërore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin "Shqipëria e Lirë"[16] me president Mit'hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin "Valuable" - organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq më 9 janar 1976ShBA,[16] New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.[3]

Përndjekja e familjes Kupi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me qendresën e Bazit në Durrës kundër pushtimit italian, familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindisit, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë, banuan pranë të afërmit, Sejfulla Merlikës.

Lexime të mëtejshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Patrice Najbor, Histoire de l'Albanie et de sa maison royale (5 volumes), JePublie, Paris, 2008, (ISBN 978-2-9532382-0-4).
  • Patrice Najbor, la dynastye des Zogu, Textes & Prétextes, Paris, 2002
  1. ^ a b c Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Londër: Rowman & Littlefield. fq. 254.
  2. ^ a b c Amery J., "Sons of the Eagle" 1948, Macmillan & Co. LTD. Përktheu Filatun Vila më 1950, Tiranë:"Lumo Skëndo", 2002.
  3. ^ a b Bungo Markensen, "Nacionalisti Abaz Kupi në një monografi" New York 2001, “Gjonlekaj Publishing”
  4. ^ a b birth_placelamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida 2000.
  5. ^ Hidri P., "Gjeneral Prenk Pervizi", Toena, Tiranë 2002.
  6. ^ Hoxha E., "Zëri i Popullit". Organ i Partisë Komuniste Shqiptare, viti i II-të. shkurt 1943 nr. 13-14.
  7. ^ Pearson, Owen (2006). Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism 1940-1945 (në anglisht). I.B. Tauris. fq. 5. ISBN 1-84511-104-4.
  8. ^ Dervishi K., Margaret Hezllak dhe shërbimi i saj ndaj çështjes shqiptare, 55, Nr. 6316, fq. 16-17, 17 dhjetor 2015.
  9. ^ Fischer B.J., "Albania at war, 1939-1945", 1999. Përkthyer nga Kreshnik Hajdëri, Tiranë: Botime Çabej, 2004.
  10. ^ a b Smiley D., Albanian Years 1943-1945, West Lafayette, Purdue University Press, 1999
  11. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë,Botime Onufri, 2012
  12. ^ Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes
  13. ^ AQSH, f.270, d.5 v.1943
  14. ^ Kupi A., Njoftim i Posaçëm i major Abaz Kupit si përgjigje "Buletinit Bashkimi" lëshue nga Partija Nacional Shlirimtare me datë 7 dhjetor 1943
  15. ^ Ermenji A., "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" (bot. I Paris 1968) Tiranë 1996, Botime Çabej.
  16. ^ a b Pearson, Owen (2007). Albania as dictatorship and democracy: from isolation to the Kosovo War, 1946-1998 (në anglisht). I.B. Tauris. fq. 349. ISBN 978-1-84511-105-2.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]