Jump to content

Hasan Riza Pasha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Hasan Riza Pasha

Hasan Riza Pasha (Tosia, 1871 - Shkodër, 30 janar 1913) ishte ushtarak dhe vali i Perandorisë Osmane, si i tillë shërbeu në krye të Vilajetit të Shkodrës. Qe arkitekti i mbrojtjes së Shkodrës gjatë rrethimit serbo-malazez, me çeljen e Luftës Ballkanike.

U lind në Tosia, kaza e sanxhakut dhe vilajetit të Kastamonusë,[1] i biri i valiut të Bagdadit Mehmed Namik Pashës, me origjinë jo shumë të largët nga Konia. Mbasi mbaroi shkollat ushtarake me radhë, në vitin 1892 doli nëntoger nga Akademia Ushtarake e Stambollit. Më 1895 kreu shkollën e shtatmadhorisë dhe u gradua kapiten,[2] ku dhë shërbeu si profesor në akademi.[1] Në vitin 1897 mori pjesë në luftën osmano-greke dhe mbas disa shërbimesh në ushtri, fitoi gradën nënkolonel kur ishte 28 vjeç.

Në vitin 1899 u dërgua me shkollime në Perandorinë Gjermane, për të plotësuar studimet e larta dhe aplikacionin. Kreu Akademinë e Luftës (gjerm. Kriegsakademi), ku u dallua për aftësitë e tij mes studentëve osmanë dhe gjermanë. Kur shtatmadhoria e madhe prusiane lëshoi raportin e fundit lidhur me klasën e tij, për Hasan Rizain shkruhej:[2]

Me të drejtë mund të drejtojë kryesinë e shtatmadhorisë së madhe osmane.

Pasi shërbeu si vali në Irak (1901-1911) iu dha grada e gjeneralit.[3] Në vitin 1911 u ngarkua komandant i divizionit të pavarur të Shkodrës dhe më 7 mars 1912 u emërua vali e komandant i sanxhakut[2] në krye të 13,600 ushtarëve dhe 96 topave.[4] Kritikonte haptas partinë e xhonturqve me gjithë shoqërinë "Bashkim e Përparim" për dëmin që i kishin sjellë ushtrisë, duke u lënë oficerëve shesh të lirë që të mirreshin me politikë. Shqiptarët i simpatizonte shumë dhe veprat letrare patriotike i çmoi mjaft dhe i shpërbleu, sikurse veproi me poemën "Lahuta e Malcís". Pas propozimit të pashës, P. Gjergj Fishta u dekorua me medaljen Mearif të Klasit të 2të.[2]

Mbrojtja e Shkodrës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dy muaj pas marrjes së detyrës, Hasan Rizai ndërmori strukturimin e mbrojtjes së Shkodrës në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin sasi të mëdha telash me gjemba, ishte fortifikuar Taraboshi, kodrat përtej Kirit në Bardhaj;[5] duke strukturuar dy breza mbrojtës: i vogli nga kodrat e qytetit dhe i madhi që përfshinte Taraboshin, kodrat e Bërdicës dhe të Vukatanës.[6] Çështja e komandës së operacioneve nuk qe fort e qartë sipas ushtarakut shtatmadhor osmano-turk me origjinë shqiptare, Fevzi Çakmak: Hasan Pasha ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel pas një reforme në grada (kishte qenë gjeneral), ndërsa Esati ishte pashë dhe gjeneral-brigade. Esadi kishte po ashtu në kontroll një numër më të madh efektivësh: 15 mijë redifë dhe vullnetarë. Për nga rangu ishte Esadi që duhej të komandonte, por për nga kompetencat ushtarake i takonte Hasan Rizait.[5]

Një muaj pas shpalljes së luftës nga Mali i Zi më 8 tetor, anija malazeze Neptun u nis nga Virpazari me dy flamurë të mëdhenj, një të bardhë dhe një austro-hungarez, duke lundruar liqenit të Shkodrës për t'i dërguar një letër Hasan Rizait për ta bindur të dorëzohej. Pas kundërshtimit nga valiu,[7] një tjetër dërgatë u përsërit më 6 dhjetor, duke marrë të njëjtën përgjigje.[6] Pasi ushtritë osmane ishin mundur në frontet e Kirkilisë, Manasitirit dhe Lule Burgas, më 3 dhjetor jo shumë larg Stambollit, u nënshkrua armëpushimi i Çatallxhasë me Lidhjen Ballkanike. Marrëveshje kjo që pengonte Perandorinë Osmane që të dërgonte përforcime dhe furnizime në fortesat e rrethuara, njëra prej të cilave, Shkodra. Qëndresa në Shkodër vazhdoi, pavarësisht pakënaqësive në Stamboll ndaj mosbindjes së valiut.[8]

Në janar të 1913 Hasan Riza Pasha kërkoi që të mobilizonte shqiptarët e jashtërrethimit, shumica e të cilëve ishin katolikë që luftonin në krah të malazezve. Për të mbështetur osmanët, arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, kërkonte garanci personale nga valiu: që në kala me flamurin osman të ngrihej edhe flamuri shqiptar si shenjë e përpjekjes së autoriteteve osmane për Shqipërinë. Flamuri shqiptar do të ngrihej edhe në fortifikimet e Taraboshit, Bërdicës, Tepes dhe Bardhajve. Letrat e dërguara rrethinave, në Nënshat dhe në Kuvendin Françeskan të Rubikut ku shërbente si famullitar P. Pal Dodaj shprehnin gatishmërinë e krahinës për t'iu bashkuar qëndrestarëve të fortesës kur të çohej flamuri shqiptar. Takimi që do të vuloste marrëveshjen mes autoriteteve ushtarake të qëndresës dhe klerit që fliste në emër të krahinës do të mbahej më 30 janar 1913.[9]

Hasan Rizai kishte edhe një plan të fshehtë, që ia kishte treguar oficerit të lartë të shtabit, nënmajorit Abdurrahman Nafiz: "dhjetë ditë para se të mbarohen ushqimet, do t'i japim çdo ushtari racion të plotë për tri ditë me radhë që të ngopet mirë. Ditën e katërt do të çajmë në drejtim të Tivarit, midis Taraboshit dhe Bunës. Pastaj do të marshojmë drejt portit Spizza në Adriatik, 60 km larg. Do të formojmë një vijë mbrojtjeje brenda Malit të Zi, në kufirin me Austrinë, dhe do ta mbajmë si vijë derisa të mbarohen ushqimet. Pastaj do të kalojmë në Austri nga rrethanat."[10] Duke marrë në këtë mënyrë korpusin e ushtrisë osmane, duke lënë në rrethim redifët e drejtuar nga Esad pashë Toptani dhe një traktativë me klerin katolik që fiset shqiptare që deri atëherë po luftonin për Malin e Zi, t'u ktheheshin kundër aleatëve të deriatëhershëm dhe t'u bashkoheshin qëndrestarëve.[11]

  1. ^ a b Allpani, Nexhip (1998) [22-23 qershor 1995]. "Hasan Riza Pashë Tosjalliu, një nga këmbët e urës së miqësisë Shqipëri-Turqi". Shkodra në shekuj: seminari i dytë ndërkombëtar. 1: 40–41.
  2. ^ a b c d Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Kolë Idromeno. fq. 450.
  3. ^ Elsie R., A Biographical Dictionary of Albanian History, Londër: I. B. Tauris, 2012, fq. 192, ISBN 978-1780764313
  4. ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 31. ISBN 978-9928-190-91-8.
  5. ^ a b Ikonomi 2016, p. 40.
  6. ^ a b Ikonomi 2016, pp. 46-47.
  7. ^ Ikonomi 2016, p. 44.
  8. ^ Ikonomi 2016, p. 50.
  9. ^ Ikonomi 2016, pp. 57-58.
  10. ^ Ikonomi 2016, p. 54.
  11. ^ Ikonomi 2016, p. 65.