Jump to content

Kamer Loshi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kamer Loshi (1886-1925) ishte luftëtar nga fshati Pemisht i Drenicës i cili u angazhua për çlirimin e Kosovës. [1]

Kamer Loshi lindi në Pemisht (Padalishtë) të Drenicës. Që në moshën 16-vjeçare e nisi luftën kundër pushtuesve turq dhe e vazhdoi kundër atyre serbë e malazezë pas vitit 1912. Me pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe Mali i Zi më 1912, familja e tij u dërgua në kampin e improvizuar në Runik të Skënderajt, i njohur si Lloqi i Runikut. Kamer Loshi i shpëton internimit dhe u arratis në mal. Po atë vit në mal iu bashkuan edhe tre vëllezërit e tij, si dhe një numër bashkëluftëtarësh, me të cilët formoi çetën për të luftuar Serbinë dhe më pas edhe Austro-Hungarinë.

Me çetën e tij, Kamer Loshi mori pjesë në më shumë se 60 përballje luftarake kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe (1912- 1925), likuidoi shumë prijës çetnikë, si Berdo Shupovakun etj. Mori pjesë edhe në shuarjen e "Republikës së Gjon Marka Gjonit" (1921) dhe në Revolucionin demokratik në Shqipëri (1924). Kamer Loshi u rrethua nga forcat serbe në fshatin Balicë dhe pasi iu vranë shokët dhe vetë ishte plagosur, ra në altarin e lirisë, më 14 mars 1925.[1]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 994. ISBN 9789951615846. OCLC 1083870022.