Kukësi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Kukësi | |
---|---|
Popullsia | 16,765 [1] |
{{{postal_code_type}}} | 8501-8503 |
Faqja zyrtare | Bashkia e Kukësit |
Kukësi është qytet në Shqipërinë verilindore, i shtrire në koordinatat 42,09° V, 20,43° L. Është qendra e Qarkut Kukës. Shtrihet në rrëzë të Malit të Gjallicës dhe në breg të Liqenit të Fierzës, në Rrafshen e Lumës. Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.
Në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë. Në vitin 2010, banorët e Kukësit u shpallën nga USAID, si më të lumturit e Shqipërisë.
Megjithëse zona e Kukësi është një vendbanim i hershëm historik, siç dëshmohet prej varreve ilire të zbuluara në fshatin Kënetë, Kukësi ose Kukësi i Ri është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri.
Etimologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emri i Kukësit lidhet me familjen feudale të Kukajve, ku njēri nga bijtē e tij ka qenē komandant në ushtrinë e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kjo familje për herë të parë përmendet në regjistrin Osman të vitit 1571.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kukësi i Vjetër
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shtrihej ne territoret e përmbytura nga ujërat e Liqenit të Fierzës. Shtrihej në një brezare të krijuar nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej. Mendohet se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikuliotëve. Bep Jubani banorët e Kukësit i quante "ilirët alpinë".
Përmendet së pari si fshat i Nahijes së Lumës, në vitin 1571 (me 9 shtëpi të krishtera dhe 3 të myslimanizuara). Në vitin 1591 Kukësi kishte 11 shtëpi të krishtera e 6 të myslimanizuara. Në vitin 1610, arqipeshkvi i Tivarit, M. Bici, e shënon Coccus, Vila di Cocus, me rreth 50 shtëpi, prej tyre 5 myslimane e të tjerat të krishtera (katolike) dhe si qendër peshkatare dhe e një garnizoni të avancuar turk. 30 vjet më vonë dëshmohet me 50 shtëpi, një kishë të rrënuar dhe shumicën e banorëve të myslimanizuar. Më 1633, P. Mazreku, edhe ky arqipeshkv i Tivarit, përmend Vaun e Kukut. Mortaja e vitit 1689, shoi shumë vendbanime dhe kjo bëri që kjo zonë të braktisej për një kohë të gjatë deri s në gjysmën e parë të shek. XVIII u ripopullua me banorë nga me mbiemer Haziri, Elezi Zeneli Cena. Në këtë kohë u shfaq me emrin Drinabardh. Në vitin 1869 rishfaqet me emrin Kukusa.
Në vitet 1912-1921 u pushtua nga serbët, bullgarët dhe austriakët. Mori pjesë në luftërat kundër forcave serbe në vitet 1912-1913. Shumë banorë të tij u masakruan nga forcat serbe. Në vitin 1921 deputeti i parë i Kukësit zgjidhet Mustafë Lita. Deri në vitin 1922, kur përfshihet në Prefekturën e Kosovës, ishte një qendër e vogël ku hani ishte institucioni më i madh publik. Në vitin 1923 u bë qendër krahinore me 28 shtëpi e 186 banorë. Në zgjedhjet e vitit 1923, fiton grupi i majtë me përfaqësues Avni Rustemin. Sulmohet më 16 qershor 1924 nga forcat kryengritëse të Bajram Currit. Rimerret nga forcat qeveritare të Muharrem Bajraktarit në dhjetor 1924. Në gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit. Në këtë periudhë, popullsia e Kukësit shtohet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e qindra familjeve nga Gjakova dhe Prizreni. Ata sjellin me vete tregtinë dhe tradita të reja gatimi e shërbimi, e shumë zeje.[2] Largimi i qindra familjeve gjakovare nga Gjakova erdhi si pasojë e likuidimit të Zonës Neutrale të Junikut dhe pushtimit të Gjakovës nga forcat serbe, si pasojë e marrëveshjes mes qeverisë së Ahmet Zogut dhe qeverisë së Nikola Pashiqit. Gjatë kësaj kohe vijnë dhe shumë familje nga Gora. Në fillimin e viteve 30 shpallet bashki.
Në vitin 1935 shpërthen në Kukës, kryengritja anti-zogiste e drejtuar nga Muharrem Bajraktari. Shtypet me dhunë nga forcat qeveritare. Qyteti gjallërohet nga institucionet shtetërore, shkolla, shoqëria sportive Kosova, banda muzikore, enti kulturor Djelmnia Shqiptare, një rrjet shërbimesh publike dhe pazari i së dielës. Në mes të qytetit ngrihen ndërtesa e Prefekturës, busti i Mbretit Zog (zëvendësohet me bustin e Skënderbeut në vitin 1939), një lulishte dhe një pus. Fillon e merr pamje urbane. Në vitin 1938 kishte 1800 banorë.
Pushtohet i fundit nga Italia Fashiste, më 14 prill 1939. Në vitin 1940 lidhet me Shkodrën me rrugë automobilistike. Po në këtë vit rikthehet në Shqipëri Muharrem Bajraktari i cili drejton rezistencën e armatosur antifashiste në Kukës. Në shtator 1943 Muharrem Bajraktari në krye të 2500 forcave e çliron nga pushtimi italian. Disa ditë më vonë mbërrijnë pushtuesit gjermanë. Fillon aktivitetin e vet celula e parë komuniste. Në gusht 1944, me provokimin e forcave partizane shpërthen në Kukës, lufta civile.
Më 18 nëntor 1944, forcat gjermane largohen nga qyteti dhe në mesditë hyjnë forcat partizane të Brigadës XVIII sulmuese. Menjëherë fillojnë sekuestrimet e arrestimet, dhe rekrutohen të rinj të qytetit për të luftuar kundra Muharrem Bajraktarit, duke pasuar në përplasje të armatosura mes partizanëve dhe forcave të Muharrem Bajraktarit. Në dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës. Rindërtohet ura mbi Drinin e Zi. Rihapet tregu. Hapet Shtëpia e Rinisë. Fillon punën spitali civil. Në vitin 1946, qyteti furnizohet me dritë elektrike me anën e një motori tanku të adaptuar. Lidhet me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Hapen shkolla unike dhe konvikti. Krijohen ndërmarrja tregtare dhe kooperativat artizanat, konsum dhe shitblerje. Në vitin 1949, krijohet dega e Bankës Shtetërore. 1950-1962 rritet ndjeshëm popullsia me banorë të ardhur nga fshatrat. Hapet Shtëpia e Kulturës. Në vitin 1954 fillon punën kinemaja. Në vitin 1956, hapet gjimnazi. Në vitin 1958 ndërtohet ujësjellësi. Në vitin 1959, krijohet estrada profesioniste, kurse në vitin 1960 ngrihet Radio Kukësi dhe hapet shkolla pedagogjike 2-vjeçare. Fillon punën biblioteka e qytetit. Ngrihen Muzeu lokal dhe teatri i kukullave në vitin 1960. Niveli ekonomik i qytetarëve mbetej i ulët. Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Fillon jeta paralele e dy qyteteve. Në 1970 Kukësi kishte 6073 banorë. Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës.
Kukësi i Ri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri. Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri. Në prill të 1965 filloi popullimi i tij. Në vitin 1978 e tërë popullsia vendoset në qytetin e ri. Në gusht 1988 varet në qendër të qytetit poeti disident Havzi Nela. Diktatura komuniste ishte tepër e ashpër në Kukës, duke shtypur çdo mendim të lirë me burgosje e përndjekje për çdo atdhetar, e duke diskriminuar me direktiva të posaçme popullatën që kishte prejardhje nga Gjakova. Më 5 janar 1991 krijohet dega e Partisë Demokratike për Kukësin. Në 11-12 Mars 1997 banditë të armatosur sulmojnë depot e armatimit të ushtrisë në rrethinat e Kukësit dhe repartet ushtarake nëpër fshatra. Qyteti mbushet me njerëz të armatosur duke shtyrë qytetarët e Kukësit të armatosen për vetëmbrojtje. Me 12 Mars 1997 përhapet lajmi se ushtria serbe po përparonte drejt Kukësit, që çoi në largimin e shumicës së popullsisë së qytetit, përveç një pjese të vogël që qëndruan për mbrojtjen e qytetit. Disa ditë më vonë grupe të armatosura të ardhura nga fshatrat përreth, sulmojnë bizneset në qytet; vritet një nga sulmuesit, duke sjellë dhe fundin e plaçkitjeve në qytet. Në vitin 1999, Kukësi pret afro 450.000 shqiptarë nga Kosova të dëbuar nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Përjeton periudhën më të vështirë në historinë e tij duke u përballur dhe me bombardimet serbe në kodrat përreth qytetit. Në vitin 2000 kandidohet për Çmimin Nobel për paqe duke u bërë i pari qytet në botë i kandiduar për një çmim të tillë. Në vitin 2004 përfundon ndërtimi i Aeroportit të Kukësit. Në vitin 2010 përfundon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës që lidh më shpejt Kukësin me Tiranën.
Kriza e marsit 2018
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qeveria Rama dha në vitin 2017 Rrugën e Kombit me konçesion me një kontratë të mbushur me parregullsi e akte të kundraligjshme, si p.sh. shënimi që pagesa është taksë dhe mblidhet e i shkon në llogari firmës private që merr rrugën me konçesion. Tarifat variojnë nga 5€-22,5€ për një kalim. Trari dhe mbledhja e pagesës fillon më datë 25 mars 2018, duke sjellë paralajmërim nga qytetarët shqiptarë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës që kjo do të sjellë dëme të mëdha për ekonominë e Republikës së Shqipërisë, si dhe izolimin e qytetit të Kukësit.
Më 27 mars, kuksianët paralajmëruan një protestë masive për datën 31 mars 2018. Ndërkohë, më 28 mars, 150 kamionë nga Republika e Kosovës protestuan duke bërë rrugën bosh deri në Kukës e u kthyen përsëri në Doganën e Morinit. Më 31 mars, gati gjysma e popullsisë së qytetit të Kukësit, plus qindra të tjerë të ardhur nga Peja, Gjakova, Prizreni, Hasi e Tirana, u tubuan për protestën e paralajmëruar. Kur u afruan te trari i pagesës në Kalimash, policia i qëlloi me gaz lotsjellës dhe i rrahu me shkopa gome 5 të moshuar që ishin në krye të protestuesve.
Kjo solli reagimin e turmës, e cila qëlloi me gurë forcat e policisë, theu barrikadën e tyre dhe sulmoi e dogji kioskat e pagesës, si dhe hoqi trarët. Protestuesit u larguan për në Kukës pasi iu dha fjala nga policia që nuk do të arrestohen. Me urdhër të kryeministrit Rama, në Kukës u dërguan rreth 60 autoblinda e makina policie me qindra policë të armatosur, duke vendosur qytetin në një shtetrrethim të paligjshëm, e duke rrëmbyer në orën 3 të mëngjesit 23 kuksianë nga shtëpitë e tyre. Ditën pas djegies së trarit, kryeministri Rama dhe ministra të qeverisë dolën publikisht nëpër televizionet kombëtare shqiptare, duke fyer qytetarët e kukësit e duke i quajtur ata "barbarë" e "vandalë", e duke kërcënuar se do të hakmerren ndaj Kukësit[3]. Gjyqi i kuksianëve të rrëmbyer u bë në Tiranë më 4 prill 2018, duke fallsifikuar edhe raportet e arrestimit dhe nën bllokimit e gjysmës së Tiranës nga mijëra forca policore që shumë tiranasve u kujtoi gjyqet e regjimit komunist para viteve '90[4]. 12 kuksianë u lanë të lirë me detyrim paraqitje ndërsa 11 prej tyre u dënuan me burg[5].
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Kukësit shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Shqipërisë. Është qytet që kufizohet në Veri-Lindje dhe Lindje me qytetin e Prizrenit (Kosovë) ku si pikë kontakti është dogana e Morinës, dhe në brendësi të territorit Shqiptar kufizohet me Hasin në veri, Pukën në perëndim dhe Peshkopinë në Jug. Kukësi ose Kukësi i Ri është vendosur në këmbë të malit të Gjallicës (2487 m) dhe është një ndër qytetet më të reja në Shqipëri. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1976, dhe vendin e Kukësit të Vjetër e zuri hapësira ujore prkm² e liqenit artificial të Fierzës, i cili u ndërtua si rezultat i ndërtimit të Hidrocentralit me po të njëjtin emër. Baseni i këtij liqeni furnizohet nga dy lumenj të rëndësishëm, Drini i Zi (buron në liqenin e Ohrit) dhe Drini i Bardhë (buron në Malet e Rugovës, Kosovë), të dy këto degë formojnë Lumin Drin, më të gjatin në Shqipëri me 280 km i cili derdhet në Detin Adriatik nëpërmjet Gjirit të Lezhës. Bashkimi i dy Drinave i kanë dhënë Kukësit formën e një gadishulli, gjë që i jep një pamje shumë piktoreske.
Ka një shtrirje veri-jug prej 1,4 km dhe lindje-perëndim prej 0,9 km. Ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 150 ha dhe lartësi mesatare 950m mbi nivelin e detit.
Klima
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klima karakterizohet nga një dimër i ashpër dhe një verë e nxehtë. Temperatura mesatare vjetore në rrethin e Kukësit sillet rreth 11,9 °C. Temperaturat mesatare ekstreme sillen nga 3,9 deri 25,4 °C. Reshjet vjetore mesatare sillen nga 800 deri në 1100 mm. Shpejtësia mesatare e erës është 3,5 m/s në dimër, 3,1 m/s në pranverë dhe 2,3 m/s në vjeshtë. Trashësia e shtresës së borës është në varësi të drejtpërdrejtë me lartësinë mbi nivelin e detit dhe nga ekspozimi i shpateve. Zakonisht ajo lëviz nga 40 cm deri në 200 cm. Shtresa e dëborës mesatarisht zgjat 35-40 ditë.
Politika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Kukësit u shpall bashki në fillimin e viteve 30. Tradicionalisht njihet si qytet me bindje të djathta. Kryetar i Bashkisë së Kukësit është z. Safet Gjici i PD-së. Më përpara tij Kryetarë bashkie kanë qenë: Shefqet Çela (periudha e Mbretit Zog), Abedin Budinaku (periudha e Mbretit Zog), Tahir Kolgjini (periudha e pushtimit italian), Xhaferr Bislimi (periudha e pushtimit gjerman, i vrarë me atentat nga celula komuniste e Kukësit). Në vitin 1944 bashkitë u zëvendësuan me Këshillat Popullorë të qyteteve dhe u rikthyen në zgjedhet lokale të korrikut 1992. Nga viti 1992 e këtej kryetarët e bashkisë kanë qenë: Qemal Parllaku (1992-1996, Partia Socialiste), Safet Sula (1996-2000, Partia Demokratike), Ylber Zeneli (2000-2003, Partia Demokratike) dhe Osman Elezi (2003-2007, Partia Socialiste). Hasan Halilaj është i vetmi që ka fituar 2 herë zgjedhjet lokale në vitet 2007 (PD) dhe 2011 (PD më pas LSI). Më pas u zgjodh Bashkim Shehu (PD), në vitin 2015 dhe Safet Gjici (PS) në 2019-ën.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Para vitit 1925, fshati Kukës banohej kryesisht nga banorë vendas, aktiviteti kryesor i të cilëve ishte bujqësia dhe blegtoria e cila zhvillohej në të dy anët e lumenjve Drin i Zi dhe Drin i Bardhë. Pas vitit 1925, Mbretëria Shqiptare i kushtoi një rëndësi të veçantë këtij fshati duke i dhënë statusin e një qyteti gjë që u be shkak që ai të popullohet me banorë të ardhur nga Shkodra, Prizreni, Gjakova dhe Gora. Ardhja e tyre shënon dhe futjen në jetën e këtij qyteti të aktiviteteve tregtare dhe prodhuese. Janë këta banorë të rinj që i japin Kukësit një pamje të re përmes ndërtimit të shtëpive të reja dhe moderne dhe krijimit të një fryme të re qytetare përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore.
Falë tyre, Kukësi nis të bëhet i njohur si një nyje lidhëse dhe me rëndësi për të dy anët e kufirit. Në ato vite nisën aktivitetin zeje të tilla si: kafet dhe restorantet, tregtia me shumicë dhe pakicë, prodhimet e ëmbëlsirave, fotografia, mjetet moderne te transportit (biçikletat, veturat, kamionat dhe autobusët) ngjyrosja dhe përpunimi i leshit, përpunimi i lëkurës dhe i mishit, prodhimi i rrobave dhe këpucëve, shërbimi postar dhe telegrafik, prodhimi i energjisë elektrike, përpunimi i metalit, prodhimet prej ari dhe argjendi, arkitekturë dhe plan urbanistik, një traditë e re gatimi dhe shërbimi, etj.
Ardhja e sistemit komunist shkaktoi dhe shkatërrimin total të kësaj përvoje, grabitjen dhe sekuestrimin e pronave dhe të pronarëve, shpronësimin e banesave dhe objekteve tregtare, nëpërkëmbjen e të drejtave dhe të lirive elementare të njeriut, degradimin e plotë të elementëve kapitalistë etj.
Kukësi gjatë regjimit komunist ishte një qendër industriale në Shqipëri. Deri në vitet '90, Kukësi kishte një industri të nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit (teknologji sovjetike e viteve '60), nxjerrjes dhe koncentrimit të mineralit të kromit, nxjerrjes së mineralit të kuarcit, prodhimit të materialeve të ndërtimit (materiale inerte, parafabrikate etj), përpunimit të lëndës drusore dhe prodhimit të mobilieve, prodhimit të qilimave dhe sixhadeve, prodhimeve ushqimore (pije alkoolike, prodhime të qumështit, prodhime përpunuese të frutave dhe perimeve, prodhimit te bukës etj.), mbledhjes dhe përpunimit të bimëve mjekësore, prodhime të industrisë mekanike, shërbim hotelier përmes dy hoteleve turistike të cilat pritnin dhe përcillnin dhe disa qindra turistë të huaj, etj.
Kukësi ishte një vend i njohur dhe me traditë në rritjen dhe mbarështrimin e deleve. Cilësia e mishit dhe e leshit të deleve lumjane ishin të njohura në të gjithë Ballkanin. Regjimi komunist dhe veçanërisht fushata antiekonomike e tufëzimit të bagëtive, bëri që numri i krerëve të vijë vazhdimisht në rrënje dhe kjo veç kësaj çoi në ftohjen e dëshirës së blegtorit për të rritur e mbarështruar bagëti.
Kukësi ishte gjithashtu një qendër e njohur e transportit. Krahas llojeve të tjera të transportit, aty ishte i zhvilluar dhe transporti ujor, përmes liqenit artificial të Fierzës, i cili bënte të mundur transportin e mallrave dhe të udhëtarëve.
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të qytetit dhe të fshatrave punonin në zonën nxjerrëse dhe përpunuese të kromit në Kalimash, në minierën e nxjerrjes së bakrit në Gjegjan etj.
Transformimet e domosdoshme ekonomike drejt tregut të lirë pas viteve '90 bën që pjesa më e madhe e industrisë së lartpërmendur të falimentojë tërësisht, sepse ajo industri ishte ngritur për të funksionuar në kushtet e një ekonomie të centralizuar dhe të planifikuar. Mirëpo kjo shkaktoi shumë plage sociale, duke çuar në krijimin e një mase të madhe të papunësh.
Moszgjidhja në kohë e problemeve të pronësisë mbi tokën (veçmas problemet e shumta të krijuara nga shpërngulja e detyrueshme e banorëve të Kukësit të Vjetër pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës) shkaktuan shumë konflikte pronësore dhe bllokuan tërësisht nismat e biznesit vendas dhe atij të huaj, duke krijuar një ngërç absurd që ende dhe sot e kësaj dite vazhdon t'a mbajë të mbërthyer dhe nën tension të gjithë Kukesin.
Një rol shkatërrimtar për ekonominë e Kukësit dhe në acarimin e mëtejshëm të problemeve sociale, ka luajtur ekzistenca e kufirit me Kosovën, që nga viti 1948 e më tej pas viteve 90' dhe veçanërisht embargoja e komunitetit ndërkombëtar ndaj ish-Jugosllavisë, gjatë konflikteve etnike pas shpërbërjes së saj.
Shkak i tyre, sot një pjesë e industrisë që mund të ringjallej, mbeti e bllokuar, duke çuar në rrënimin total të objekteve industriale, falimentimin e bizneseve të vogla dhe në një shkallë shumë të lartë të papunësisë. Sot ekonomia e qytetit të Kukësit është e mbizotëruar nga biznesi individual apo ai familjar dhe kryesisht është e bazuar tek tregtia e vogël. Degët zotëruese të ekonomisë ndër të tjera janë: transporti dhe shërbimet. Kukësi zotëron dhe një aeroport të përmasave ndërkombëtare (përfunduar së ndërtuari në fund të vitit 2004), mirëpo për dhënie me koncesion të aeroportit "Nënë Tereza" të Rinasit, ai sot nuk funksionon. Kukësit i mungon infrastruktura moderne dhe veçanërisht lidhjet me fshatrat dhe qytetet më të afërta si: Peshkopi, Shkodër, Krumë, Prizren etj. janë shumë të dobëta.
Lidhjet telefonike ndonëse janë përmirësuar, ato janë ende në një gjendje të mjeruar, për të mos folur për internetin, i cili ende nuk ka gjetur kushtet për t'u shtrirë nëpër familje. Të gjithë këto faktorë, por dhe shumë faktorë të tjerë e kanë detyruar qytetarin e Kukësit të braktisë vendin e të drejtohet për në Tiranë e zona të tjera apo edhe për të emigruar jashtë vendit.
Ky proces ka shkaktuar dhe një largim në përmasa dramatike të njerëzve me arsim të lartë dhe me përvojë pune, duke shkaktuar kështu një boshllëk shumë të madh në administratën publike, në arsim dhe kulturë, shëndetësi etj.
Transporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Kukësit, që nga viti 2009, është kthyer në një nyje të transportit mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar, pas vënies ne përdorim të autostradës që zë fill në pikën e kalimit kufitar në Morin. Kjo autostradë e ka vendosur Shqipërinë në rrjetin evropian të autostradave. Edhe nga ana tjetër e kufirit po punohet me ritme të shpejta për të lidhur Vërmicën me Prishtinën.
Njëkohësisht po punohet për ndërtimin e rrugës që lidh qytetin e Kukësit me Krumën e më tej me qytetet e Bajram Currit dhe Gjakovës. Në krahun tjetër po punohet në zgjerimin dhe rikonstruksionin e rrugës Kukës-Peshkopi. Edhe një segment i rrugës lidhëse me zonën e Gorës është në zbatim, mirëpo ky segment shtrihet në një terren shumë të vështirë dhe do të kërkojë më shumë kohë dhe fonde për t'u përfunduar.
Duke parë investimet e kryera viteve të fundit, lirisht mund të thuhet se kjo pjesë e vendit nuk është më e izoluar si më parë dhe se janë krijuar kushtet për të nxitur investimet private vendase dhe të huaja, në fusha të tjera me leverdi ekonomike, që do të ulnin treguesit e papunësisë dhe do të rrisin mirëqënjen e banorëve.
Qeveria shqiptar që një kohë ka nxitur projektimin e rrjetit hekurudhor që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me rrjetet e tjera të rajonit dhe që do të kalojë nëpër Kukës, për t'u lidhur me pikën më të afërt që është qyteti i Prizrenit, i cili ka lidhje hekurudhore me pjesët e tjera të Kosovës dhe të rajonit.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Masmediat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Radio Kukesi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]"Ju flet Kukësi...” Kjo sigel zanore që u përhap më 16 tetor 1959, nga katër altoparlantë, që vareshin në pemët e qytetit të vjetër të Kukësit, hapi rrugën e një radioje, që në jetën e saj të gjatë do të bëhej një legjendë e informimit në gjuhën shqipe. Sigla që ende shoqëron mëngjeset e mijëra dëgjuesve, nuk është ndalur në këta 45 vjet.
Kjo radio i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare të gjuhës, kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët jashtë kufijve në Kosovë e Maqedoni, për të cilët u ngrit dhe ky radiostacion që më pas do të identifikohej me vetë qytetin e Kukësit.
Në qytetin e vogël, njerëzit që nuk kishin dëgjuar më parë radio, habiteshin kur nga altoparlantët në vatrat e tyre, hyri vala e Radio Kukësit, që u bë pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Fillimi ishte krejt i natyrshëm. Një program i improvizuar, një tribunë ku ngjitet ish-presidenti Haxhi LLeshi, për të prerë shiritin ishte dita e fillimit të kësaj radioje që ishte e dyta në vend, për nga rëndësia dhe numri i dëgjuesve, pas Radio Tiranës. Qyteti dhe rrethi i Kukësit kanë jetën e tyre në këtë radio, që nga viti 1959 e deri më sot. Koha vlerëson si të pazëvendësueshme punën e radios që identifikohet me emrin e qytetit.
Galeria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]-
Rruga për Krumë
-
Pamje e Kukësit
-
image_skyline e Gjallicës
-
image_skyline Drinit të Zi
-
Rruga e Kombit
-
Pikëllima(Koritniku)
Shiko dhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Bashkia Kukës
- Qarku Kukës
- Radio Kukesi Transmetim Direkt, Info'
- Kukes Culture, Info
- Regjioni Kukes
- Kukësi Forum
- [1]
- Forumi i shishtavecarëve
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ http://census.al/Resources/Data/Census2011/Instat_print%20.pdf
- ^ Pergjithmone me endrren e Kukesit te vjeter
- ^ "Protestë në Rrugën e Kombit. Rama: Barbarët do arrestohen". Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 25 qershor 2019.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Prokuroria e Kukësit i dorëzoi gjykatës kërkesat për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 23 protestuesve të arrestuar, duke kërkuar "arrest me burg" për 11 prej tyre dhe masa më të lehta sigurie për 12 të tjerët".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Policia arreston natën qytetarët nëpër banesa për protestën te "Rruga e Kombit". 1.04.2018.
{{cite news}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në:|date=
(Ndihmë!)
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |
- Pages with non-numeric formatnum arguments
- Gabime CS1: Mungon parametri i gjuhës
- Gabime CS1: Datat
- Artikuj që kanë mungesë referimesh
- Të gjithë artikujt që kanë mungesë referimesh
- Faqe pa burim informacioni
- Për përmirësim
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Pages using infobox settlement with no settlement type
- Kukës
- Qytete në Shqipëri
- Qytete shqiptare
- AL-gjeo-cung